Tuesday, April 23, 2013

Dashuria ndaj Pejgamberit a.s.


Për nga rëndësia, dashuria për Pejgamberin (a.s.) vjen menjëherë pas dashurisë që besimtari duhet të ushqejë ndaj Allahut xh.sh., madje mund të themi se dashuria ndaj Pejgamberit a.s. buron nga dashuria jonë për Allahun. Ai që e do Allahun, padyshim, e do edhe Pejgamberin a.s., sepse Allahu xh.sh. e ka bashkuar emrin e Vet hyjnor me emrin e Tij:“La ilahe ilallah Muhamedur-resulullah”.

Nuk mjafton të thuhet vetëm me gojë se unë e dua Pejgamberin a.s, por. Pas këtij pohimi kërkohet edhe shkuarja pas mësimeve të tij dhe praktikimi i tyre. Allahu xh.sh. thotë: “Thuaj! Nëse e doni Allahun, atëherë ejani pas meje që Allahu t'ju dojë, t'ju falë gjynahet tuaja. Allahu falë dhe mëshiron shumë”. (Ali Imran, 31)

Sehl ibën Abdullah ka thënë: “Shenjë e dashurisë së Allahut është të duash Kuranin. Shenjë e dashurisë së Kuranit është të duash pejgamberin. Shenjë e dashurisë së Pejgamberit është të duash sunetin e tij.

Enes ibn Maliku r.a. tregon se një njeri e ka pyetur Pejgamberin a.s. se kur do të ndodhë Dita e gjykimit. Pejgamberi a.s. e pyeti se çfarë kishte përgatitur ai për Ditën e gjykimit. Personi iu përgjigj: Për Ditën e gjykimit nuk kam përgatitur shumë gjëra me përjashtim të obligimeve, por e dua Allahun dhe Pejgamberin e Tij. Pejgamberi a.s. i tha: Ti do të jesh në botën tjetër sëbashku me atë që e do. (Buhari)

Dashuria është baza e çdo vepre në këtë jetë. Çdo vepër në botë buron nga dashuria dhe dëshira. (Kaide fil mehabbe, Ibën Tejmijje 2/ 193 dhe 202)
Në një hadith të transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi Pejgamberi a.s. ka thënë: “Asnjëri nuk ka besuar plotësisht përderisa të mos më dojë mua më shumë se baban, fëmijët e tij, veten dhe njerëzit mbarë”.

Në lufën e Uhudit një gruaje muslimane nga fisi Beni Dinar, i vdiqën  në luftë burri, vëllai dhe i ati. Kur e lajmëruan dhe u përpoqën që ta ngushëllonin, ajo u tha njerëzve që e rrethonin: çfarë i ka ndodhur Pejgamberit a.s.? I thanë: Ai është gjallë. Tha: Ma tregoni që ta shoh. Kur e pa se ai ishte i gjallë tha: çdo fatkeqësi është e parëndësishme përpara fatkeqsisë së humbjes tënde”. (Siretu Ibn Is’hak, 2, 99).

Omer ibën Hattabi r.a. një herë i tha Pejgamberit a.s. : “O i Dërguar i Allahut, vërtet unë të dua më shumë se çdo gjë, përveç vetes time! Pejgamberi a.s. tha: Jo, pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, ti nuk më don mua me të vërtetë nëqoftëse e don veten tënde më shumë se mua. Omeri r.a. tha: Pas këtij çasti, pasha Allahun, ti je më i dashur për mua se vetja ime. Pejgamberi a.s. tha: Tani po, o Omer.” (Buhariu)

Dashuria ndaj Pejgamberit a.s. bën të mundur që besimtari të shijojë ëmbëlsinë e (imanit) besimit. Buhariu dhe Muslimi transmetojnë nga Enesi r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Kush i zotëron tri gjëra ai do ta shijojë ëmbëlsinë e besimit: njëra prej tyre është ta duash Allahun dhe të dërguarin e Tij me shumë se çdo gjë tjetër ".

Hubejb ibni Adijjin, e zënë rob pas kurthit që i ngritën muslimanëve disa fise politeist, mushrikët e pyetën pak përpara momentit të ekzekutimit: A do të dëshiroje që në këtë çast, në vendin tënd të ishte Muhammedi a.s.? Dhe përgjigjja e tij ishte e prerë dhe e qartë: Jo, Vallahi nuk do të pranoja që, në këmbim të shpëtimit tim, atij t’i ngulej qoftë edhe një gjemb në këmbë. Pastaj mushrikët, armiqtë e Allahut dhe të pejgamberit, vendosën ta ekzekutojnë. Hubejb ibni Adijj r.a i ngrit duart nga qielli e tha: O Allah nuk mund ta përshëndes për të fundit herë, të dashurin Tënd a.s., prandaj dërgoja Ti përshëndetjen time atje ku ndodhet. Muhammedi a.s. gjendej me shokët e tij kur ata dëgjuan se ai tha: Të përshëndes edhe unë ty o Hubejb. Të habitur ashabët e pyetën të dërguarin e Allahut se ç’kishte? Ai me lot në sy u tha: Hubejbi ra shehid, por në çastin e fundit të jetës nuk harroi të më dërgonte selame. Allahumme sal-li ala Muhammedin ue ala ali Muhammed.

E lusim Allahun xh.sh. që edhe ne të edukohemi me dashurinë që kishin sahabët për Pejgamberin a.s.


Naim DRIJAJ 
Date:13.04.2013 Puke.

No comments:

Post a Comment

Xhamit e Pukes

Note: Only a member of this blog may post a comment.