Friday, April 6, 2012

Artisti Sami Yusuf, vizite ne KMSH

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Selim Muça, priti sot në një takim të veçantë e të përzemërt këngëtarin me famë botërore, Sami Yusuf, i cili ndodhet në vendin tonë, si i ftuar special në programin e shtatë festiv “Profeti Muhamed a.s. – Krenaria e Njerëzimit”, që do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, nesër në orën 11:00.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe nënkryetarët, Bujar Spahiu dhe Gazmend Aga, kancelari Ali Zaimi, Myftiu i Tiranës Hafiz Shaban Saliaj si dhe drejtues të tjerë të lartë të KMSH-së.

Kryetari Muça shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë takim dhe e falënderoi artistin Yusuf në emër të myslimanëve shqiptarë për pranimin e ftesës. Sipas z. Muça prania e këngëtarit Yusuf është një vlerësim i madh për kulturën dhe artin në tërësi, si dhe për artin islam në veçanti. Kreu i KMSH-së, duke vlerësuar ilahitë me nivel të lartë artistik të muzikantit të mirënjohur botërisht, vuri në dukje se “programe të tilla kulturore janë tepër të rëndësishme për besimtarët, për t’i mbajtur ata të lidhur ngushtë me besimin”.  Z. Muça e njohu artistin mysliman me institucionin e KMSH-së, medresetë dhe universitetin e parë islam në Shqipëri “Hëna e Plotë – BEDER”.

Nga ana e tij, artisti britanik, Sami Yusuf, pasi falënderoi Kryetarin Muça për mikpritjen e ngrohtë, shprehu vlerësimet e tij më të mira në adresë të institucionit dhe myslimanëve shqiptarë, duke nënvizuar njëkohësisht rëndësinë e zhvillimit të këtij spektakli, si një ngjarje që jo vetëm evidenton vlerat e artit islam, por edhe si një mundësi për prezantimin e vlerave të Islamit tek të tjerët.

Kreu i KMSH-së i dhuroi muzikantit si kujtim institucional, një punim artistik me simbolet e kombëtare shqiptare, si dhe një album me foto të vjetra të qyteteve të Shqipërisë.

/Drita Islame/

No comments:

Post a Comment

Xhamit e Pukes

Note: Only a member of this blog may post a comment.