Saturday, January 7, 2012

KMSH takim pune me myftinjtë e rretheve

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë mbajti më 7 janar 2012 një takim pune më myftinjtë e të gjithë rretheve të Republikës së Shqipërisë, me rastin e fillim vitit.
Takimi u zhvillua paraditen e sotme në ambientet e Medresesë së Tiranës me pjesëmarrjen e gjithë myftinjve të rretheve.  Fjalën e hapjes e mbajti kreu i Komunitetit Mysliman, H. Selim Muça, i cili foli rreth punës së bërë nga ana e KMSH-së për vitin 2011 dhe  dha direktivat për vitin 2012.
Z. Muça foli gjithashtu edhe për çështje e problematika të tjera që kanë të bëjnë me KMSH-në, myftinitë dhe me ecurinë e zhvillimin e fesë Islame në Shqipëri.
Më pas fjalën e mori nënkryetari i Komunitetit Mysliman, z. Bujar Spahiu, i cili çështjet në fjalë i trajtoi në mënyrë më të detajuar dhe konkrete. Duke vënë theksin te përcjellja e mesazhit Islam si detyrë profetike e trashëguar, ai theksoi se detyra parësore e KMSH-së është kumtimi i fesë Islame.
Më tej z. Spahiu foli edhe për metodikën e përcjelljes së mesazhit islam dhe në veçanti përfaqësimit i tij nga imamët dhe myftinjtë në vend, që sipas tij i duhet kushtuar një rëndësi dhe seriozitet i veçantë.
Myftinjtë u njoftuan për aktivitetet që do zhvillohen në muajt në vazhdim. Në këtë mbledhje drejtori i medias në KMSH, Agron Hoxha, njoftoi kthimin e gazetës “Drita Islame” në një revistë të përmuajshme me një larmi rubrikash fetare, sociale e kulturore. Z. Hoxha njoftoi gjithashtu se më 28 janar  do të organizohet edhe një konferencë me temë “Media dhe feja” me rastin e 20 vjetorit të daljes së numrit të parë të gazetës “Drita Islame”.
 Muaji shkurt i  njohur si muaji i vlerave profetike do të shoqërohet edhe me aktivitete dhe ceremoni të shumta në të gjithë vendin, pikërisht kjo u është kërkuar myftinjve të pranishëm në këtë takim. Këto aktivitete kanë si qëllim të shpalosin vlerat dhe shembullin ideal të njerëzimit, atë të profetit Muhamed (a.s.).
Nga ana e tyre myftinjtë e rretheve kanë shpalosur problemet në myftinitë përkatëse duke kërkuar edhe ndihmën e KMSH-së për zgjidhjen e tyre.
Gjithashtu mbledhja vazhdoi edhe me diskutimin e çështjeve të tjera administrative. Në takimi ishin të pranishëm edhe zyrtarë të tjerë të lartë të Komunitetit Mysliman si: nënkryetari Gazmend Aga, drejtori i Burimeve Njerëzore Dorian Demetja, drejtori i Kulturës Genti Kruja, drejtori i Arsimit Altin Shima, etj.
Në përfundim, myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari i bëri një dhuratë simbolike kreut të KMSH-së, H. Salim Muça, për kontributin e tij nën drejtimin e këtij institucioni fetar. Ai i dhuroi kreut Muça një panoramë të manifestimit të hapjes së xhamisë së Plumbit e cila ishte shkëndija e parë që dha sinjalin fatlum se Islami jo vetëm që nuk ish harruar, por vazhdonte të ishte i gjallë e i freskët në zemrat shqiptarëve. /Drita Islame/

No comments:

Post a Comment

Xhamit e Pukes

Note: Only a member of this blog may post a comment.